Kejsi Stoner me Honda ka fituar Çmimin e Madh të Holandës në MotoGP, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës, Dani Pedroza, të dytin e përjetshëm. Në një garë që është vendosur që nga kthesat e para, australiani ka komanduar me qetësi kur nevojitej dhe ka marrë pikë shumë të rëndësishme në luftën për titull.
Gjithçka ka ndodhur në nisje, kur Alvaro Bautista ka gabuar duke humbur kontrollin e motorit të tij, duke goditur Horge Lorencon që në ato çaste gjendej në pozicionin e tretë dhe duke nxjerrë nga gara kryesuesin e renditjes së botërorit. Irritimi i spanjollit ta Jamahas ndaj bashkëkombësit të tij është i dukshëm, ndonëse ky i fundit i kërkon falje për gabimin e bërë.
Pedroza merr kontrollin e garës dhe tërheq me vete Stoner, ndërsa pas tyre janë me radhë Spis, Doviciozo e Bradl. Valentino Rosi prish gomën e mbrapme dhe detyrohet të futet në bokse për ta ndryshuar, duke u kthyer në pistë në fundin e kolonës së motorëve.
Kur mbeten 10 xhiro nga fundi i garës, Stoner zgjohet dhe tregon pse është kampioni, duke kaluar në mënyrë shumë të thjeshtë shokun skuadrës për të shkuar i shkëputur drejt një suksesi të merituar. Ndërkohë, duelin për vendin e tretë e fiton Andrea Doviciozo me Tek 3 Jamaha, duke mundur pikërisht Ben Spis që garon me Jamahan zyrtare. (LajmeShqip.com)
KLASIFIKIMI PËR PILOTË
140 Horge Lorenco (Jamaha)
140 Kejsi Stoner (Honda)
121 Dani Pedroza (Honda)
77 Kal Craçlou (Tek 3 Jamaha)
76 Andrea Doviciozo (Tek 3 Jamaha)
61 Valentino Rosi (Dukati)
59 Niki Hejden (Dukati)
58 Alvaro Bautista (Gresini Honda)
Saturday, 30 June 2012 17:30