Mediat angleze kanë hapur lajmin se Masimo Morati gjatë fundjavës ka gjetur kohën për të udhëtuar drejt Londrës, ku ka darkuar me Andre Vijas Boas. Vetëm një ditë më parë, Morati refuzoi çdo lloj hipoteze kontakti me trajnerë të tjerë përveç atij aktual të Interit, Klaudio Ranieri.
Por historia tregon se kjo nuk është hera e parë që presidenti i zikaltërve e bën një vizitë të tillë. Në vitin 2007, mediat bënë të ditur për një takim mes tij dhe Zhoze Murinjos, por presidenti zikaltër e mohoi një gjë të tillë, ndonëse pak muaj më vonë trajneri portugez u ul në stolin e skuadrës së tij.
Morati dhe Vijas Boas mendohet të jenë takuar në “Egerton House Hotel”, në zonën “Knightsbridge” të kryeqytetit anglez. Darka nuk ka shërbyer për të njohur njëri-tjetrin, pasi portugezi ka qenë zëvendësi i Murinjos gjatë kohës kur ky i fundit drejtonte Interin. Prandaj biseda ka shërbyer për të vënë bazat e një bashkëpunimi të mundshëm që fillon në sezonin e ardhshëm.
Presidenti i Interit nuk ka ndërmend të afrojë një tjetër trajner gjatë këtij sezoni dhe me përjashtim të ndonjë të papriture, Ranieri do të ulet në stolin e skuadrës deri në përfundimin e kampionatit.
Më pas, do të vihet në zbatim fillimi i një projekti të ri, ku Vijas Boas është zgjedhja e parë e presidentit zikaltër. Megjithatë, ky i fundit nuk ka marrë vendimin përfundimtar, pasi pritet të kontaktojë edhe trajnerë të tjerë, ku i pari në listë është Loran Blank. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 March 2012 15:53