Presidenti i Interit, Masimo Morati, ka bërë të qartë se shpreson që ngjarjet e fundjavës në ndeshjen Katania-Juventus të jenë vetëm një rast i izoluar dhe të mos kthejnë pas historinë e turbullt të bardhezinjve me gjykimet e njëanshme në favor të tyre. Deklarata e presidentit të zikaltërve ka shërbyer për të ulur sadopak tensionet para sfidës së fundjavës mes dy skuadrave.
“Ndeshja e Katanias ka bërë pak përshtypje te të gjithë. Por nuk do të doja kurrë që të mbërrinim të ndeshja e të shtunës duke tensionuar më shumë mungesën e theksuar të simpatisë mes tifozerive të Interit e Juventusit. Ajo që ndodhi është një situatë absurde, por duhet të mendojmë gjithmonë se ka qenë vetëm një gabim që nuk do të përsëritet”, tha ai, duke shpjeguar se reagimi i ashpër vjen si rrjedhojë e asaj që fshihte e kaluara e kampionëve të Italisë.
“Deri në vitin 2006 kemi përjetuar një situatë të tmerrshme, me shumë të papritura, që ka mbetur brenda të gjithë nesh. Dikush e harron, por është mirë ta kujtojmë, pasi është një makinë e frikshme dhe nuk besoj se dikush është gati të kthehet te ajo klimë. Por nuk besoj gjithashtu se drejtuesit aktualë të Juventusit po ndjekin të njëjtat modalitete”, u shpreh presidenti i Interit, duke u munduar të shuajë çdo polemikë me bardhezinjtë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 October 2012 10:40