Masimo Morati ka bërë të qartë se nuk ka marrë ende asnjë vendim rreth Klaudio Ranierit, trajnerit të klubit zikaltër i cili rrezikon shkarkimin nga detyra pas rezultateve të dobëta.
Mendohej se ndeshja me Napolin do të përcaktonte nëse trajneri do të vazhdonte në stolin e skuadrës, por Morati ka bërë të qartë se është i pavendosur.
“Do mendohemi, do të thërras edhe Ranierin dhe do të shohim çfarë vendimi do të marrim. A mundet që të vazhdojmë me të? Mendoj se po, dua të dëgjoj si ndihet ai dhe skuadra. Më ishte dukur sikur kishim patur rikuperim nga ana psikologjike, por shumë shpesh vetëm kjo nuk mjafton. Ndeshjen e pamë të gjithë”.
Për ata që e pyetën nëse kishte parë reagimin e pritur, Morati u përgjigj negativisht. “Jo. Vullnet po, megjithatë nuk është parë në pjesën e parë, në të dytën pak më mirë. Cilat janë hipotezat në rast ndërrimi të trajnerit? Kjo nuk është lojë!”.
Ndërkohë, dje në zyrat e tij ai ka mbajtur një mbledhje të gjatë me Marko Branka dhe Piero Ausilio, dy personat që drejtojnë merkaton e klubit. Sipas mediave italiane, ata kanë folur për skenarët e mundshëm që krijohen në rast shkarkimi të Ranierit dhe cilat janë ndërhyrjet që duhen bërë në skuadër gjatë merkatos verore. (LajmeShqip.com)
Monday, 27 February 2012 21:06