Kthimi i Zhoze Murinjos te Interi aktualisht është një hipotezë e parealizueshme. Për të shuar entuziazmin e tifozëve që po ëndërronin kthimin në periudhën e lavdishme të portugezit ka menduar vetë presidenti Masimo Morati, i cili ka bërë të qartë se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet e duhura për kthimin e tij në Itali.
“Me Murinjon kam shkëmbyer vetëm disa SMS në shenjë miqësie. Sigurisht, jam i kënaqur nga besnikëria dhe dashuria e tij për Interin. Por nuk ekzistojnë aktualisht kushtet për kthimin e tij në drejtimin e skuadrës tonë. Mendoj të rikonfirmoj Stramaçionin si trajner”, ka sqaruar menjëherë numri 1 i zikaltërve para gazetarëve për të mbyllur këtë temë të hapur gjatë ditëve të fundit.
“Çfarë kishte në SMS që shkëmbyem? Ishin një çështje simpatie e ndërsjellë, jo për të krijuar një projekt. Një kthim në të ardhmen? Ku i dihet!”, ishte batuta e presidentit të zikaltërve rreth kësaj teme.
Duke u kthyer te e tashmja e Interit, Morati ka folur edhe për ndeshjen e fundjavës kundër Juventusit, rivalit historik të zikaltërve.
“Puna e Stramaçionit nuk do të vlerësohet nga kjo ndeshje. Për ne është e rëndësishme të marrim tri pikët, pavarësisht faktit nëse kemi përballë Juventusin apo një ekip tjetër. Sigurisht, ata janë skuadra më e fortë në kampionat, por kjo nuk ndryshon objektivat tonë. Nëse gjërat do të shkonin si në ndeshjen e parë (fituar nga Interi 3-1 në Torino), nuk do të ishte aspak keq”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 28 March 2013 10:20