Seria negative e Interit në kampionat dhe gabimet e vazhdueshme të gjyqtarëve që po penalizojnë zikaltërit, janë kthyer në shqetësimin kryesor të Masimo Moratit, i cili ka treguar se një solidaritet të tillë e ka ndjerë që në kohën kur skuadrën e drejtonte Zhoze Murinjo.
“Me Kaljarin shpresonim te një rezultat pozitiv, ndoshta edhe një barazim për të ndalur serinë e humbjeve. Gjyqtarët? Edhe Murinjo më thoshte: “Si ia bën që vazhdon këtu? Nuk ështe e mundur, ke të gjithë kundër, është shumë e vështirë”. Unë i thashë se pikërisht kjo është e bukura e Interit dhe ai e kuptoi një gjë të tillë. Gabimi i gjyqtarit ndaj Kaljarit mu duk se ishte një gabim i mirëfilltë, pa keqdashje, pasi ishte Pinija që bëri të dukej si i tillë”.
“Por Interi duhet të ketë një krenari superiore nëse ia del mbanë, pasi ai ishte goli i parë. Nëse nuk ka mundësi, ndodh për shkak të dëmtimeve të shumta, si ai i Garganos që nuk të lejon të paraqitesh në maksimumin e forcës”.
Pikërisht dëmtimet e shumta ku ato të fundit të Nagatomo e Gargano i shtohen atyre të Kasano, Milito e Palacio, kanë bërë që të hidhen dyshime mbi punën e stafit mjekësor të skuadrës, pasi pjesa më e madhe e tyre janë dëmtime muskulore.
“Stafi mjekësor? Janë shumë gjëra që duhen vëzhguar nga e para”, ishte komenti i Moratit rreth kësaj teme, ndërsa ka deklaruar edhe një herë mbështetjen e tij për Stramaçionin. “Po zhvillojmë një kampionat të vështirë dhe dramatik përsa i përket dëmtimeve. Ndaj nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të mbështet trajnerin duke shpresuar që të shpikë diçka për të dalë nga kjo situatë. Kupa mbetet objektivi i fundit, pasi në kampionat nuk ka shumë për t’u bërë”, pranoi ai, i dorëzuar për faktin se skuadra e tij nuk dot marrë përsëri pjesë në Ligën e Kampioneve as në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 April 2013 09:54