Nëse në mesjavë Masimo Morati e mori me sportivitet barazimin 4-4 ndaj Palermos, duke e quajtur atë një rezultat spektakolar për tifozët, humbja 4-0 ndaj Romës e ka mërzitur shumë atë. Si rrjedhojë, pas sfidës ai ka preferuar të mos bëjë kritika të drejtpërdrejta por nuk ka ngurruar të thumbojë të gjithë ekipin.
“Komente mbi ndeshjen kundër Romës? Më mirë të mos flas, pasi mund të jem shumë i ashpër. Por dikush duhet ta dijë që duhet dhënë shpirti për këtë fanellë”, ishte komenti i tij i vetëm.
Duket se mesazhi ka shkuar menjëherë i qartë te skuadra, edhe pse zikaltërit kanë qenë pushim sot. Reagimi i parë ka qenë pikërisht nga një prej lojtarëve që mungoi në sfidën e të dielës, Uesli Shnajder.
“Ditë e lirë sot… Shumë ftohtë! Por ka punë për t’u bërë. Për të dielën duhet të jem në 100%”, ishte komenti që mesfushori hodhi në profilin e tij në Twitter. (LajmeShqip.com)
Monday, 06 February 2012 20:21