Masimo Morati është gati të shkarkojë nga detyra e tij Andrea Stramaçionin, por më parë duket se dëshiron që të mbyllë gjithçka me Valter Mazarrin, i larguar dy ditë më parë nga drejtimi i Napolit. Presidenti i Interit po mendon për një projekt të ri, duke parë se si ai që iu besua trajnerit të ri, dështoi në mënyrën më spektakolare të mundshme, në sezonin e rekordeve negative për klubin e tij, vetëm 3 vite pas suksesit në Ligën e Kampioneve.
“Nuk kam folur akoma as me të e as me ndonjë tjetër. Të shohim nëse pas një sezoni të tillë kam kohën e duhur për të vënë gjërat në vendin e duhur. Tani po bëjmë një reflektim të gjatë, janë orë në të cilat po mundohem të gjej një zgjidhje”, ishte sot deklarata e Moratit para mediave.
“Nuk them se kam ndryshuar mendje rreth projektit, por thjesht po bëj një përmbledhje të asaj që ndodhi për të kuptuar se cila është gjëja më e mirë për Interin në këto momente. Por nuk bëhet fjalë për një vendim të shpejtë rreth trajnerit. Nga njëra anë është talenti i një djali që me siguri do të ketë sukses në profesionin e tij, ndërsa nga ana tjetër ekziston një situatë e tillë me rezultate negative. Ndaj po mendoj cila është zgjidhja më e mirë. Mazarri? Të gjithë trajnerët janë të mirë, por pastaj duhet të punojnë te Interi që është diçka krejtësisht ndryshe”, ishte deklarata e presidentit që nuk ka zgjidhur misterin e pankinës, por ka lënë të kuptohet se po mendon seriozisht shkarkimin e Stramaçionit.
Mediat italiane sot kanë shkruar për një kontakt tjetër mes Moratit dhe Mazarrit, ku presidenti i Interit i ka ofruar atij një kontratë vetëm për 2 sezone me 3.5 milion euro rrogë në vit, që mendohet se do të jetë e mjaftueshme për të bindur ish-trajnerin e Napolit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 May 2013 19:58