Masimo Morati po mendon seriozisht të bindë Çezare Prandelin të marrë drejtimin e Interit në sezonin e ardhshëm. Trajneri aktual i Italisë, çuditërisht ka përfunduar në majën e listës së teknikëve të preferuar nga presidenti i Interit për pankinën e kësaj skuadre, falë edhe faktit se ka arritur të rigjenerojë një kombëtare e cila kishte nevojë për rifreskim të përgjithshëm pas dështimit në Botërorin 2010, pak a shumë si situata aktuale e Interit.
Zikaltërit do të fillojnë rinovimin që nga sezoni i ardhshëm dhe u nevojitet një trajner me këto karakteristika, që të dijë të ndërthurë veteranët me atë rinjtë, për të ndërtuar një tjetër cikël fitues. Ndërkohë, ai do të ishte një zgjedhje popullore mes vetë lojtarëve të Interit, pasi ka mbështetjen e “bazës italiane” të të ardhmes: Ranokia, Pacini dhe Poli.
Problemi i vetëm është kontrata e trajnerit me Federatën Italiane, pasi ai ka nënshkruar për “të kaltrit” deri në vitin 2014, ndonëse varet shumë se si do të shkojnë gjërat në Euro 2012 ku Prandeli ka arritur kualifikimin pa shumë probleme.
Morati është i sigurt se mund të bindë trajnerin, ndërsa mbetet për të parë se si do të reagojë Federata Italiane. Në rast pranimi, ajo duhet të vihet që tani në kërkim të një zëvendësuesi të denjë për të vazhduar fazën e dytë të projektit të filluar me Prandelin, kualifikimin në Botërorin 2014. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 March 2012 09:32