Vinçenco Montela, trajneri i Fiorentinës, është munduar të qëndrojë i qetë pas ndeshjeve të javës së fundit të Serisë A, pasi ka parë ekipin e tij që ishte vetëm pak minuta larg pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve. Por fakti se Milani fitoi 2-1 ndaj Sienës, duke i rrëmbyer përsëri vendin e tretë, për më tepër me një gol të parë të ardhur nga një penallti e dyshimtë, ka sjellë edhe një reagim të tijin, ku është munduar të ruajë qetësinë.
“Keqardhje për mënyrën se si përfundoi? Jo, nuk duhet t’i përjetojmë gjërat në këtë mënyrë. Shkojmë drejt pushimeve me një tjetër ndjenjë, atë të krenarisë”, ishte reagimi i Montelës.
“Besuam deri në fund që mund ta arrinim këtë objektiv. Jemi në dijeni edhe të ndonjë gjëje të veçantë që ndoshta nuk ka qenë e dukshme… Diferenca mes nesh dhe Milanit? Ata kanë gjuajtur penalltitë më mirë se ne…”, ishte batuta e tij para kamerave të televizioneve, duke aluduar për 11-metërshin e dhënë në minutat e fundit në favor të kuqezinjve ndaj Sienës.
I lajmëruar se kjo intervistë e tija po ndiqej edhe nga administratori i Milanit, Adriano Galiani, Montela është munduar menjëherë që të evitojë një polemikë të mundshme. “Nuk është se po nënkuptoj gjë, ne kemi gabuar dy të tilla në këtë sezon”, ishte fraza e radhës e trajnerit.
Por duket qartë se te skuadra e Firences janë të bindur për një komplot. Këtë e konfirmojnë edhe fjalët e shkruara në adresën e tij në Twitter nga mbrojtësi i kësaj skuadre, Gonzalo Rodriguez.
“Nëse them atë që mendoj, nuk mund të luaj më në Serinë A”, ishte mesazhi i qartë i futbollistit argjentinas. (LajmeShqip.com)
Monday, 20 May 2013 10:11