Monako ka filluar negociatat zyrtare për blerjen e futbollistëve cilësorë gjatë merkatos verore, duke bërë të qartë se cilët janë lojtarët që i interesojnë dhe me të cilët shpreson të kthehet në një prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Nga Portugalia ka ardhur dje konfirmimi se francezët kërkojnë të blejnë nga Porto mesfushorët Zhoao Mutinjo dhe Xhejms Rodriguez, sipas fjalëve të presidentit të kësaj skuadre, Pinto Da Kosta.
“Lajmi për interesimin e Monakos na erdhi të dielën dhe tani kemi filluar negociatat”, tha ai, por pa konfirmuar nëse është e vërtetë shifra prej 70 milion eurosh që ai u ka vënë dy lojtarëve.
Por presidenti rus i Monakos, Dmitry Rybolovlev, nuk është ndalur këtu, pasi mediat spanjolle kanë bërë të qartë se ai ka filluar kontaktet me drejtuesit e Real Madrid. Miliarderi kërkon të marrë me çdo kush nga Reali portierin Diego Lopez, i cili i zuri vendin Iker Kasijas, por që me largimin e Murinjos do të kthehet të jetë vetëm një zëvendësues te madrilenët.
Sipas mediave spanjolle, transferimi i Lopez është mëse i mundur pasi edhe vetë portieri kërkon një skuadër që të aktivizohet rregullisht. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 May 2013 10:37