Monako ka konfirmuar blerjen e dy mesfushorëve të Portos, Zhoao Mutinjo dhe Xhejms Rodriguez, të cilët kanë firmosur kontrata pesëvjeçare me skuadrën e tyre të re.
Klubi francez ishte vënë prej kohësh në ndjekje të dy lojtarëve, ndërsa tani kanë formalizuar marrëveshjen prej 70 milionë eurosh për të marrë këta dy futbollistë që do të përforcojnë mesfushën e skuadrës së drejtuar nga Klaudio Ranieri.
Porto komunikoi se transferimi i Mutinjo kishte kushtuar 25 milion euro, ndërsa ai i Rodriguez kishte kapur shifrën 45 milion euro.
Mutinjo iu bashkua Portos nga Sporting Lisbona në vitin 2010 dhe që atëherë ka ndihmuar këtë klub të fitojë tre tituj kampion në Portugali dhe trofeun e Europa League
Ndërkohë, kolumbiani Rodriguez iu bashkua në të njëjtin vit ekipit portugez nga radhët e ekipit argjentinas të Banfild, ndërsa gjatë tre sezoneve me Porton ka shkëlqyer duke shënuar 32 gola.
Tani të gjithë presin që Monako të zyrtarizojë edhe marrëveshjen më të rëndësishme, atë të blerjes së Radamel Falkao për 60 milion euro. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 May 2013 21:55