Skuadra e Monako do ta nisë kampionatin e ardhshëm me -2 pikë, ndërsa do të jetë e detyruar që të luaj edhe një ndeshje me dyer të mbyllura, për shkak të problemeve me tifozët. Vendimi i Ligës Franceze u dha dje pasi u shqyrtuan me kujdes ngjarjet e ndodhura pas ndeshjes kundër Le Mansh në maj, të përfunduar me rezultatin 2-1 për klubin e principatës. Ngjarjet ndodhën pas përfundimit të ndeshjes, e cila siguroi matematikisht titullin kampion të kategorisë së dytë për skuadrën e drejtuar nga Klaudio Ranieri, pasi fusha u pushtua nga tifozët dhe një prej tyre goditi gjyqtarin e ndeshjes.
Në deklaratën për shtyp të Ligës, cilësohen si shkak për këtë dënim “ndezja e fishekzjarrëve në stadium, pushtimi i fushës në përfundim të ndeshjes si dhe veprimet brutale ndaj gjyqtarit të takimit nga një tifoz”.
Monako mendohet se do të jetë pretendente për titull në këtë sezon, pasi deri tani ka shpenzuar me shumë se 120 milion euro për blerje të reja, ku përfshihen Radamel Falkao, Zhoao Mutinjo dhe Xhejms Rodriguez. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 June 2013 09:36