Devid Mojes pritet të bëhet trajneri i Mançester Junajtid pasi Aleks Ferguson t’i japë lamtumirën “djajve të kuq”. Lajmi ka qarkulluar në mediat angleze, pasi ëhstë mësuar se tekniku aktual i Evertonit, një nga më të vlerësuarit në Angli, po mendon që t’i japë lamtumirën klubit që drejton aktualisht për t’u bërë për një sezon asistenti i Ferguson.
Sipas burimeve të ndryshme, Mojes është i ndërgjegjshëm se kështu do të njihte shumë më mirë klubin legjendar, duke punuar një vit nën urdhrat e skocezit 71 vjeçar që do t’i tregonte me saktësi se si funksionojnë gjërat.
50 vjeçari Mojes ka 11 vite te Evertoni, duke e kthyer këtë klub të vogël me pak buxhet në një emër të njohur në Angli dhe duke dominuar për të dytin vit radhazi ndaj skuadrës më të famshme të qytetit, Liverpulit. Kontrata e tij përfundon në verë dhe kohët e fundit është përfolur për interesimin e Çelsit dhe Shalkes, por me sa duket ai ka pranuar një ofertë nga Mançester Junajtid.
Ferguson ndërkohë ka punuar për të rinovuar plotësisht ekipin, që tashmë ka potencial jo vetëm të dominojë në Angli, por edhe të synojë fitoret në Evropë. Por skocezi është i ndërgjegjshëm që nuk mund të drejtojë përgjithmonë, ndaj i ka vënë si detyrë të fundit vetes që të gjejë edhe zëvendësuesin e tij. Ndonëse përflitej se këtë rol në të ardhmen do të kryente një mes Pol Skols dhe Rajan Gigs, duket se Ferguson ka menduar se është ende shumë herët që ata të marrin drejtimin e ekipit të parë, ndaj ka votuar për Mojes, një nga teknikët që vlerëson më shumë .në Angli. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 17:46