Luka Modriç mund ta fillojë sezonin e ri si një futbollist i Totenhem pasi lëvizja e tij drejt Real Madrid nuk është aq e sigurt. Ylli i përfaqësueses kroate mendohej se do t’i bashkohej madrilenëve pas Euro 2012, por asnjë akord nuk është realizuar.
Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat angleze, lojtari i ka bërë të ditur Real Madrid se dëshiron të dje vendimin e tyre para datës 17 korrik, në të kundërt do të shohë ofertat e tjera që i kanë ardhur në këtë periudhë.
Ndërkohë, në Spanjë janë të bindur se Reali nuk ka ndërmend të paguajë 40 milionë euro për kartonin e futbollistit dhe mund ta bëjë një gjë të tillë vetëm nëse arrin të shesë disa nga futbollistët që ka në repartin e mesfushës si Diarra, Gago, Shahin e pse jo edhe Kaka.
Pikërisht Diarra mund të përfshihet në marrëveshjen për të ulur çmimin e lojtarit, pasi trajneri i ri i Totenhem, Andre Vijas Boas, e sheh atë si një lojtar të vlefshëm për skemat e tij. Njëkohësisht, është gjetur edhe zëvendësuesi i mundshëm i Modriç, pasi klubi londinez ka siguruar shërbimet e Gylfi Sigurdson.
Totenhem nuk e ka problem edhe nëse nuk e shet menjëherë futbollistin kroat, pasi kontrata e këtij të fundit përfundon në vitin 2016, ndaj çdo klub që kërkon shërbimet e tij duhet të plotësojë medoemos kushtet që kërkojnë londinezët. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 July 2012 15:01