Luka Modriç u ka kërkuar dje falje drejtuesve të Totenhem për sjelljen e tij dhe ka udhëtuar drejt SHBA për t’u bashkuar në stërvitje me skuadrën. Lojtari u pa dje të vizitonte zyrat e klubit dhe më pas ka shkuar menjëherë në aeroportin e Londrës nga ku është nisur për në SHBA.
26 vjeçari shpresonte që mosparaqitja e tij në stërvitje të detyronte Totenhem të nënshkruante një marrëveshje me Real Madrid për transferimin e tij. Por kjo taktikë acaroi më shumë shefin e klubit Daniel Levi, i cili planifikoi ta gjobiste me 15 mijë paund për çdo ditë që lojtari do të mungonte në stërvitje.
Si përfundim, ai është gjobitur me 80 mijë paund për sjelljen e tij, të cilën edhe trajneri Vijas Boas e cilësi joprofesionale. “Klubi duhet të mbrojë veten. Vitin e kaluar, Luka u soll si profesionist, por fatkeqësisht kjo është hera e parë që ka ndërmarrë një veprim të tillë që nuk mund të cilësohet sjellje profesionisti”, tha tekniku portugez.
Në vendimin e Modriç për të kërkuar falje duket se ka patur ndikim edhe një telefonatë mes menaxherit të lojtarit dhe drejtuesve të Real Madrid. Këta të fundit i kanë kërkuar Modriç të kthehet në stërvitje pasi Totenhemi mund të vendoste të mos lejonte transferimin e tij në formë hakmarrje për protestën publike të futbollistit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 July 2012 10:50