Luka Modriç i ka bërë ftesë Garet Beil që të transferohet te Real Madrid sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që të formojnë një skuadër të pandalshme. Kroati 27 vjeçar u transferua gjatë verës nga Totenhemi te ekipi spanjoll për 33 milion paund, ndërsa beson se shumë shpejt edhe ish-shoku i skuadrës mund ta ndjekë në të njëjtin itinerar.
“Kemi folur shpesh bashkë dhe e di që ai ëndërron të luajë në Ligën e Kampioneve në çdo sezon dhe ka një ëndërr të madhe ta fitojë këtë trofe. Madridi do të ishte një klub i madh dhe i duhuri për të që ta arrijë këtë ëndërr. Unë luaj përkrah Ronaldos këtu në Madrid dhe mënyra se si ai vrapon me topin me shumë lehtësi duke shmangur mbrojtësit, më kujton Garet. T’i kishim të dy në skuadër do të ishim të pandalshëm”, ishte komenti i Modriç.
Por kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer trajnerit të Totenhemit, Andre Vijas Boas, i cili kuptohet që nuk do të ishte shumë i kënaqur nëse nga skuadra e tij largohet futbollisti më i mirë që ka.
“Modriç duhet të shqetësohet për ekipin e tij. Ai duhet të shqetësohet për shortin e Ligës së Kampioneve në raundin tjetër. Modriç duhet të shqetësohet vetëm për Madridin, më mirë të përqendrohet te klubi i tij sesa te ne”, ishin fjalët e teknikut portugez të Totenhemit. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 November 2012 17:39