Luka Modriç ka bërë një përpjekje të dëshpëruar për t’u transferuar te Real Madrid, duke u arratisur nga Totenhemi me kuptimin e plotë të fjalës, aq sa klubi anglez e ka shpallur në kërkim.
Futbollisti nuk është paraqitur në grumbullim me skuadrën dhe Totenhemi ka bërë të ditur se ai do të ndëshkohet shumë rëndë nëse nuk hipën në avion me pjesën tjetër të skuadrës për udhëtimin drejt SHBA.
Futbollisti kroat ka bërë të qartë se dëshiron të largohet dhe trajneri Vijas Boas ka pranuar kërkesën e tij, por gjithmonë nëse plotësohen kushtet që ka vënë Totenhem. Skuadra angleze kërkon të paktën 35 milion paund për lojtarin, shumë që për momentin Real Madrid nuk dëshiron ta paguajë dhe ka ofruar vetëm 27 milion paund.
Modriç, i cili edhe më parë gjatë karrierës së tij ka akuzuar drejtuesit e klubit se po e mbanin me forcë, ka vendosur të marrë vetë situatën në dorë dhe pasi refuzoi të stërvitej dje, sot ka braktisur tërësish seancën e paradites duke ikur pa lënë gjurmë.
Në darkë, ekipi udhëton drejt SHBA-ve për një tur përgatitor para fillimit të sezonit të ri dhe drejtuesit e Totenhem kanë bërë të qartë që nëse lojtari vazhdon me injorimin ndaj klubit londinez, atëherë ai jo vetëm nuk do të lejohet të largohet, por do të ndëshkohet shumë rëndë, ashtu siç është vepruar me lojtarë të tjerë më parë në kampionatin anglez, ku shembulli më konkret është ai i Karlos Tevez te Mançester Siti. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 17:01