Nju-Delhi – Një miqësore në një truall të largët me Gjermaninë përfundoi si një seancë stërvitore pak më e fortë se të tjerat. 
Bajerni i Mynihut fitoi 4-0 ndaj përfaqësueses së Indisë, në një përballje që u luajt për t’i dhënë lamtumirën e duhur kapitenit legjendar të Indisë, Baiçung Butia. Trajneri i Bajernit, Hajnkes, e vlerësoi kundërshtarin pavarësisht fitores së thellë. “Natyrisht, pas startit të mirë që patëm, deshëm të shënonim më shumë gola, por India u tregua e aftë që të organizohej në mbrojtje dhe të mbyllte hapësirat.
Kur ndeshja po i afrohej fundit, skuadra ndjeu lodhje për shkak të stërvitjeve të forta në Katar”-tha trajneri Hajnkes. Personazhi kryesor i takimit ishte pikërish Baiçung Butia, 35-vjeçari që ka luajtur 107 ndeshje për kombëtaren e vendit të tij dhe ka shënuar 43 gola.
“Ishte një nder i madh. E shijova tërësisht këtë kënaqësi. Nuk ma merrte mendja të luaja deri në minutën e 86-të, por ia dola. Mendoj se përkushtimi i djemve në pjesën e dytë ishte i shkëlqyer. Në pjesën e parë, ekipi sikur u tremb nga emri i madh i Bajernit, por, në tërësi shkoi mirë”-tha Butia.
India humbet atë që quhej flamurmbajtësi i futbollit të këtij vendi të madh, ndërsa Bajerni tani kthen vëmendjen tek rifillimi i Bundesligës dhe Ligës së Kampionëve.
Wednesday, 11 January 2012 17:53