Fabio Kapelo duket se është kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e përfaqësueses ruse të futbollit, pasi kandidatura e tij ka marrë edhe mbështetje “zyrtare”.
Ministri i Sporteve në Rusi, Vitali Mutko, i cili ka qenë personi që ëndërronte të afronte Roberto Mançinin në këtë post, tani ka shprehur preferencën e tij për një tjetër trajner italian.
“Mendoj se Kapelo do të ishte një alternativë e mirë për këtë post”, janë fjalët e Mutko për mediat ruse. “Ky person di se si fitohet. Kur në zgjodhëm Gus Hidink, gjëja e parë që shikuam në atë kohë ishte aftësia e atij personi për të fituar”.
Më pas, Ministri i Sporteve kritikoi Federatën Ruse që kishte sjellë më tepër kaos duke publikuar një listë të gjatë me 13 emra, duke pretenduar se pjesa më e madhe e tyre as që nuk do të kontaktoheshin për këtë detyrë apo nuk ishin të interesuar për t’u bërë trajnerë të kombëtares ruse.
Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, që tani mund të hiqet lehtësisht nga lista emri i Herri Redknap i cili “jozyrtarisht” ka bërë të qartë se nuk i intereson detyra e trajnerit të Rusisë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 July 2012 11:40