Shkodër – Ekipi kombëtar i Shqipërisë në Minifutboll, që drejtohet nga shkodrani Alban Hasani, ka zhvilluar dy ndeshje miqësore ndërkombëtare me kombëtaren e Kosovës, të cilat i kanë shërbyer kuqezinjve tanë për një përgatitje sa më cilësore në prag të pjesëmarrjes në eliminatoret e Kampionatit Botëror që zhvillohet nga data 13 deri në 23 tetor në Estoni.
Trajneri i përfaqësueses, Alban Hasani, thotë se dy ndeshjet e zhvilluara në këtë fundjavë, në Prishtinë dhe Ferizaj, sidomos kjo e dyta, paraqitën një nivel të mirë të kombëtares shqiptare.
“Dy ballafaqimet miqësore në Kosovë na shërbyen për kolaudimin e skuadrës në prag të botërorit të Estonisë, pasi siç dihet prej vitesh Minifutbolli në Kosovë është shumë i zhvilluar”, thotë tekniku i përfaqësueses, Hasani, i cili me këtë rast bën të ditur se në listën e përfaqësueses kuqezi bëjnë pjesë edhe disa futbollistë kosovarë.
Sipas trajnerit Hasani, prezantimi më i mirë i kombëtares shqiptare ishte ai i zhvilluar përballë Ferizajt, të cilin e fituan me rezultatin 5 me 4.
E reja më e fundit në radhët e kombëtares shqiptare të Minifutbollit, është fakti se pjesë e stafit drejtues të kombëtares shqiptare, është edhe ish- portieri i Vllaznisë, Armir Grima, i cili tani e prapa do të kryejë detyrën e trajnerit të portjerëve kuqezi.
Në pritje të botërorit të Estonisë, kombëtarja e minifutbollit do t’i nënshtrohet një faze përgatitore speciale në bregdetin durrsak, ndërkohë që për trajnerin Hasani, pjesëmarrja kësaj here në Estoni për botërorin 2011 do të jetë krejt ndryshe nga ato të mëparshmit.
“Unë kam qënë prej disa vitesh pjesë e kombëtares shqiptare në Minifutboll, dhe të them të drejtën pjesëmarrja e jonë në veprimtari ndërkombëtare ka lënë për të dëshiruar, por kësaj here, Shqipëria ka për të lënë gjurmë, pasi përgatitjet dhe vemendja e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë qënë maksimale.
Monday, 03 October 2011 07:34