Natë e jashtëzakonshme rekordesh në Oklahoma ku vendasit kanë mundur pas dy kohëve shtesë Minesotan me rezultatin 149-140. Rasëll Uestbruk me 45 pikë (6 pasime, 4 topa në tabelë) dhe Kevin Durant me 40 pikë (17 topa në tabelë, 5 pasime), u bënë dyshja e parë e të njëjtës skuadër në NBA që shënojnë të paktën 40 pikë secili në dy ndeshje të njëjtit sezon. Kjo paraqitje e tyre e jashtëzakonshme bëri të pavlefshme paraqitjen monstruoze të Kevin Lëv nga ana tjetër e fushës, më e mira në karrierën e tij, pasi ylli i Minesotas regjistroi 51 pikë e 14 topa në tabelë, i ndihmuar nga Barea me 25 pikë, 10 topa në tabelë dhe 14 pasime.
LA Leikërs duket se kanë rregulluar problemet e tyre që pas nënshkrimit me Robert Seshëns, i cili në ndeshjen e tij të parë si titullar regjistroi 20 pikë e 11 pasime në fitoren 103-96 ndaj Portland. Me afrimin e tij, kalifornianët duken përsëri një skuadër e rrezikshme dhe janë kthyer në një ekip pretendent për të fituar një tjetër titull.
Derbi i Teksasit i ka shkuar San Antonio që ka mundur kampionët në fuqi të Dallas me rezultatin 104-87. San Antonios i mungonte Toni Parker për shkak dëmtimi, por Grin që e zëvendësoi në formacion ishte po aq efektiv me 18 pikë, 6 topa në tabelë dhe 6 pasime. Kjo humbje i Dallas ka vështirësuar pozitën e kampionëve në fuqi të cilët rrezikojnë në mënyrë të pabesueshme që të mos marrin pjesë në playoff. Ata janë një nga 5 skuadrat që luftojnë për tre vendet e fundit në zonën e playoff për Konferencën e Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Miluoki-Sharlot 112-92
Feniks-Indiana 113-111
Nju Jork-Toronto 79-96
Kliveland-Orlando 80-93
Nju Xhersi-Atlanta 84-93
Majemi-Detroit 88-73
Boston-Filadelfia 86-99
Minesota-Oklahoma 140-149
Dallas-San Antonio 87-104
Denver-Utah 102-121
Portland-LA Leikërs 96-103
Saturday, 24 March 2012 09:03