Diego Milito është i bindur se Interi është një skuadër që mund të kthehet përsëri në nivelet e pak viteve më parë, kur dominonte futbollin italian dhe evropian. I ftuar në studio në një emision televiziv për “Inter Channel”, sulmuesi argjentinas ka kujtuar suksesin e vitit 2010, kur ekipi triumfoi në Ligën e Kampioneve.
“Viti 2010 është vështirë që të përsëritet, por ne po bëjmë maksimumin dhe mundohemi gjithmonë që të përmirësohemi. Finalja? Goli i dytë ishte ai që na dha qetësinë, vetëm atëherë mendova që ishim afër realizimit të ëndrrës. Goli që shënon është maksimumi i futbollit, shpesh është e vështirë ta tregosh edhe më fjalë”, zbuloi Milito që është heroi i atij sezoni pasi me golat e tij i dha skuadrës zikaltër jo vetëm Ligën e Kampioneve, por edhe titullin kampion dhe Kupën e Italisë.
Më pas, sulmuesi argjentinas është thyer te suksesi përballë Juventusit në fundjavën e kaluar, duke treguar se si u arrit kjo fitore ndaj bardhezinjve.
“Në pushimin e ndeshjes ishim të inatosur, duhej të ishte dhënë një karton i kuq i dukshëm për ta, pa harruar faktin se goli i tyre ishte në pozicion jashtë loje. Gjithsesi, pamë njëri-tjetrin në sy dhe thamë se mund t’ia dilnim mbanë. Në fund ishte një gëzim mëse i merituar dhe i veçantë. Ky do të jetë një kujtim i rëndësishëm në karrierën tonë, pasi jemi të parët që kemi fituar kundër tyre në atë stadium, duke i mundur pas 49 ndeshjesh që fitonin radhazi”, tregoi sulmuesi argjentinas. (LajmeShqip.com)
Saturday, 10 November 2012 11:01