Njeriu më i pasur i planetit, Karlos Slim, ka shpëtuar nga falimenti dhe shpërbërja skuadrën e kategorisë së dytë spanjolle, Real Oviedo, një nga klubet më historike të krahinës së Asturia. Multimiliarderi meksikan i telekomunikimit është mahnitur nga historia dhe tradita e këtij klubi dhe ka vendosur të ndërhyjë për ta shpëtuar duke blerë pjesën më të madhe të aksioneve të klubit, që të evitojë falimentimin.
Slim, me një pasuri personale që kalon 60 miliard eurot, ka ndërhyrë në momentet e fundit, pak orë para afatit përfundimtar që autoritetet e taksave në Spanjë kishin caktuar për të shpallur falimentin e Oviedos. Para mesnatës së mbrëmshme, klubi duhej të dorëzonte 1.9 milion euro për të evituar falimentimin, shumë që është siguruar nga multimiliarderi meksikan që shpëtoi klubin dhe u bë njëkohësisht aksioneri më i madh i tij. Slim ishte interesuar prej disa javësh që të blinte një ekip në kampionatin spanjoll, ndërsa mendohej se do të merrte Getafen, por duket se ai ka ndryshuar mendje dhe do të fillojë aventurën e tij në futboll nga kategoria e dytë spanjolle.
Vështirësitë financiare të ekipit të parë të futbollit në krahinën e Asturia kishin shtyrë tifozët të fillonin një fushatë të mirëfilltë publicitare për klubin e tyre që dy javë më parë. Shitja publike e aksioneve të klubit solli fillimisht rreth 800 mijë euro, falë edhe ndërhyrjes së lojtarëve të njohur si Serxho Ramos, Kazorla, Miçu e Mata, me këta tre të fundit që kanë dalë pikërisht nga akademia e këtij klubi. Më pas, donacione erdhën edhe nga Real Madrid (100 mijë euro) dhe shumë klube të tjera në botë, si ato të kampionatit amerikan apo ato të Amerikës Latine.
Por u desh ndërhyrja vendimtare e Slim që të shpëtonte nga falimenti, me meksikanin që ëndërron t’i ndryshojë krejtësisht drejtim skuadrës, për ta kthyer në një superfuqi të futbollit spanjoll. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 November 2012 12:01