Humbja e katërt sezonale në shtëpi nuk ka lëkundur ende pozitat e Masimiliano Alegrit në drejtimin e Milanit, pasi nga klubi i ka ardhur një tjetër konfirmim se duhet të vazhdojë qetësisht punën si trajner i skuadrës.
Këtë fakt e ka konfirmuar edhe administratori i përgjithshëm i kuqezinjve, Adriano Galiani, i cili ka zbuluar një takim trepalësh në mesnatën e të dielës me trajnerin dhe presidentin Berluskoni.
“Kur do të arrijnë rezultatet e reja? Shpresoj shumë shpejt. Mbrëmë jemi takuar me Berluskonin, kemi patur një bisedë të gjatë, pastaj thirrëm edhe Alegrin dhe i dhamë besimin tonë të plotë. Por duhet thënë se kemi pësuar gola me të vërtetë të pabesueshëm”, tha administratori i Milanit, i cili nuk saktësoi nëse ky besim ndaj trajnerit ishte deri në fund të sezonit, apo në varësi të rezultateve të ardhshme.
Kuptohet që bilanci i kuqezinjve është jashtëzakonisht negativ por të mendohet që vitin e kaluar luftonin deri në javët e fundit për titullin kampion përkrah Juventusit. Por në këtë sezon, skuadra ka siguruar 14 pikë, 17 më pak se Juventusi i vendit të parë dhe 12 më pak se vendi i tretë që të çon në Ligën e Kampioneve, numra që tregojnë për një krizë të plotë.
Meqë është vendosur që të vazhdohet rruga e nisur në verë, me rinovimin e plotë të ekipit, presidenti Berluskoni ka marrë në dorë vetë situatën dhe të premten do të jetë i pranishëm në Milanelo për të takuar të gjithë lojtarët. Ai do të bisedojë me ta dhe të diskutojë arsyet e kësaj krize që ka zbritur Milanin në pozicione të cilat janë shumë larg atyre me të cilat janë mësuar tifozët e kësaj skuadre. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 November 2012 14:25