Masimiliano Alegri u ka kërkuar drejtuesve të Milanit të tentojnë blerjen e Rikardo Karvajo gjatë merkatos së janarit, pasi ka nevojë për eksperiencën e mbrojtësit 34 vjeçar që aktualisht është pjesë e Real Madrid.
Lajmi për transferimin e mundshëm të 34 vjeçarit është publikuar në mediat italiane dhe ka gjetur konfirmim edhe në ato spanjolle. Këta të fundit kanë kujtuar se portugezi nuk ka më besimin e Zhoze Murinjos, i cili i ka kërkuar prej kohësh që të largohet.
Veterani portugez është kthyer në objektivin kryesor të Milanit, pasi kuqezinjtë kërkojnë lojtarë me eksperiencë për t’ia bashkuar të rinjve cilësorë që kanë afruar kohët e fundit, në mënyrë që këta të fundit të mësojnë sa më shumë.
Nëse akordi mes Milanit dhe portugezit do të arrihet, Real Madrid do të “shpëtojë” nga rroga prej 4.5 milion eurosh në vit që përfiton ai, arsyeja kryesore pse Murinjo i kërkonte vazhdimisht që të largohej, duke preferuar para tij edhe 19 vjeçarin Varane.
Në këtë sezon, Karvajo ka luajtur në radhët e madrilenëve vetëm në ndeshjet e Kupës së Mbretit dhe nuk është se ka shfaqur një formë të shkëlqyer, edhe për faktin se ka qëndruar shumë gjatë larg lojës aktive dhe disa herë është detyruar të stërvitet me ekipin e të rinjve për shkak të refuzimit të tij për t’u transferuar në verë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 December 2012 10:27