Lojtari që në këtë sezonë ka shkëlqyer me këmishën e Marsejes, Stephane M’Bia, mesfushor kamerunas, është i kërkuar nga shumë klube evropiane, siç janë Real Madrid dhe Valencia, por sipas gazetës franceze “10 Sport”, në kërkim të tij janë venë edhe Milan e Inter. Por, se cila skuadër do ta transferojë mesfushorin e Marsejes, mbetet të shihet.
Ndërsa, Andrea Lazzari, si duket, do të largohet nga Cagliari në këtë verë, kurse e ardhmja e tij ende mbetet e fshehur. Mesfushori 26-vjeçar ka qenë prej kohësh një objektiv i Milanos, por në bazë të “Sky Sport”, tani edhe Udinese është vënë në kërkim të tij. Udinese është kualifikuar në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Edhe Mimmo Malfitano i gazetës “GdS” dha një deklaratë ku foli për çështjen Hamsik.
”Hamsik ka shprehur gatishmërinë e tij të veshë fanellën e Rossonerëve. Klubi është duke pritur që Berlusconi të dërgojë një ofertë zyrtare tek De Laurentiis. Mendojmë një ofertë prej 25 milionë eurosh”, kishte thënë Malfitano orë më parë për “Tuttonapoli”.
Edhe presidenti i Napolit kishte shprehur pasiguri për të mbajtur dy-tre xhevahirët e tij, dhe për Hamsik ai kishte thënë: “Unë jam i lumtur që ai siguroi tifozët, por ende ka tre muaj treg dhe çdo gjë mund të ndryshojë”, citohet të ketë thënë De Laurentiis.
Në “Radio Sport”, ish drejtori sportiv i Juventusit, Alessio Secco, foli për transferimet që janë bërë deri më tani, ku veçoi Milanin dhe Juventusin, të cilët kanë qenë aktivë në muajin maj. Ai tha: “Milan tashmë e ka marrë Mexesin dhe Taiwon, ndërsa “Zonja e Vjetër” ka siguruar shërbimet e Pirlo’s dhe të zviceranit Ziegler.
Pasi që është bërë lojtar i Milanit, Marko Amelia e ka zgjatur kontratën e cila do ta lidhë atë me Milanin deri më 30 qershor 2014. Sipas fjalëve të fundit të Beppe Bozzo-së, shpresat që Federico Marchetti të vijë në Milan, janë fundosur thellë në oqean.
Ehhh Balotelli, herë i mirë, dhe herë i keq. Kështu ndoshta konsiderohet sulmuesi i Manchester City, i cili edhe njëherë i ka zhgënjyer tejmase drejtuesit e skuadrës, por edhe tifozët e saj. Mario është dashur të marrë pjesë në paradën e organizuar nga klubi me rastin e fitimit të Kupës FA, por Balotelli nuk ishte prezent. Ai kishte udhëtuar drejt Italisë pa kurrfarë paralajmërimi. Futbollisti që paguhet 80 mijë funte në javë, gjithashtu nuk ishte prezent për të marrë çmimin si futbollisti më i mirë i ri në Premier Ligë, çmim ky të cilin në vend të tij e pranoi Micah Richards. Madje, ky çmim ka vlerë të posaçme, pasi për më të mirin votojnë tifozët. Drejtori i klubit, Garry Cook, ka thënë se futbollisti është dashur të marrë pjesë në këtë ceremoni dhe pa paralajmërim ka udhëtuar drejt Italisë. Por, përderisa Cook po mendonte ta dënonte futbollistin, nuk do të jetë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, pasi u kuptua më pas se ishte trajneri Roberto Mancini, ai që i dha lejen Balotellit për të udhëtuar në Itali.
Friday, 27 May 2011 09:07