Barcelona po bëhet gati të hyjë në merkato për t’i rrëmbyer Milanit mbrojtësin brazilian Tiago Silva. Ndonëse kuqezinjtë kanë deklaruar se lojtai nuk lëviz, para një oferte të rëndësishme ata do të dorëzoheshin, pasi këto para i nevojiten për t’i investuar në merkato.
Premtimet e Milanit për qëndrimin e lojtarëve, thuajse gjithmonë kanë vepruar në krah të kundërt, si në rastet e Shevçenko apo Kaka, të cilët janë lënë të largohen përballë ofertave të rëndësishme ndonëse ishin idhuj të tifozerisë. Për këtë arsye, Barcelona mendon se mund të bëjë të njëjtën gjë me Tiago Silvën, i cili shihet si pasardhësi i denjë i Paolo Maldinit.
Gazetat spanjolle bëjnë të ditur se futbollisti nuk do ta refuzonte një ofertë të katalanasve, ndaj këta të fundit këtë javë do të kërkojnë të ulen në tavolinën e bisedimeve me Adriano Galianin, për të ulur disi çmimin që i ka vënë klubi lojtarit, 40 milion euro.
Klubi spanjoll mendon se mund të përfshijë në marrëveshje edhe lojtarë, duke filluar nga holandezi Ibrahim Afellai, i cli shihet si një futbollist me të ardhme të sigurt. Mesfushori nuk ka qenë në gjendje të provojë aftësitë e tij në këtë sezon falë një dëmtimi, por tani është kthyer në formën më të mirë fizike dhe për sezonin e ardhshëm kërkon një rol titullari.
Bisedimet janë vetëm në fazën fillestare, por mendohet se diskutimet do të bëhen më të shpeshta gjatë javës së ardhshme, kur edhe Barcelona të bëjë kërkesën zyrtare për transferimin e mbrojtësit brazilian. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 12:35