Huan Roman Rikelme deklaroi se do të largohej nga Boka Juniors menjëherë pas humbjes në finalen e Kupës Libertadores përballë Korinthinas. Kjo ishte një goditje e rëndë për tifozët e Boka Juniors të cilët e kanë idhull argjentinasin 34 vjeçar që ka shkëlqyer me fanellën e këtij klubi, sidomos pas fjalëve që u përhapën se ai do të shkonte në Brazil për t’iu bashkuar Flamengos.
Ndërsa lojtari po përgatitet të largohet, ashtu si në vitin 2002 kur iu bashkua Barcelonës, mijëra tifozë të Boka Juniors kanë organizuar marshime në qytete të ndryshme të Argjentinës për t’iu lutur futbollistit të mos largohet.
Manifestimi më i madh përfshiu 5 mijë persona të cilët shkuan në stadiumin e famshëm “La Bombonera” ku luan ndeshjet Boka Juniors, në Buenos Aires. Sipas “Ole”, klubi fillimisht mendoi të mos i lejonte tifozët të hynin në stadium, por më pas u dorëzua para këtij grupi të madh, i cili marshoi në shkallët e stadiumit duke kënduar “Rikelme është Boka, Boka nuk largohet”.
Rikelme ka kaluar në total 12 sezone me fanellën e kësaj skuadre, duke luajtur më shumë se 300 ndeshje, gjatë të cilave ka fituar 5 tituj kampion në Argjentinë dhe 3 Kupa Libertadores. Ai ka qenë futbollisti i vitit në Argjentinë për katër sezone, i fundit në vitin 2011. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 09:20