Futbolli anglez rrezikon të kthehet në një koloni spanjolle pasi futbollistet iberikë tani i kanë vënë objektiv vetes që të kalojnë në skuadrat britanike. Ky është parashikimi i sulmuesit të Suonsi, Miçu, i cili beson se shumë bashkëkombës të tij po presin me padurim një transferim drejt Anglisë. Vetëm në javën e fundit, Mançester Siti bleu Hesus Navas nga Sevilja për 15 milion paund, ndërsa Liverpuli gjeti marrëveshjen për transferimin e Iago Aspas nga Selta Vigo për 7.7 milion paund.
“Kampionati anglez është superior në çdo aspekt”, pranoi Miçu. “Struktura, tifozët, konkurrenca dhe mbi të gjitha fuqia ekonomike. Çdo klub anglez tani mund të blejë futbollistë nga cilado skuadër spanjolle me përjashtim të Barcelonës e Real Madrid, pasi tregu spanjoll ka çmime më të lira. Suksesi i lojtarëve si Huan Mata, David Silva dhe Santi Kazorla ka vërtetuar se tani ky fenomen ekziston në Angli”.
Vetë sulmuesi është një nga blerjet më të suksesshme të viteve të fundit. Sulmuesi 27 vjeçar ishte praktikisht një i panjohur kur firmosi për Suonsin nga radhët e Rajo Vajekanos në verën e kaluar për vetëm 2 milion paund. Por 22 golat e shënuar që në sezonin e parë në Angli treguan se klubi uellsian kishte bërë një investim të jashtëzakonshëm, pasi fituan Kupën e Ligës dhe do të marrin pjesë në Europa League për herë të parë në historinë e tyre.
Ndërkohë, me blerjen e Navas për 15 milion paund, shpenzimi i klubeve angleze për të blerë futbollistë spanjollë ka kaluar shifrën e 240 milion paund. (LajmeShqip.com)
Lojtarët spanjollë në klubet angleze:
Arsenal: Santi Kazorla, Mikel Arteta, Naço Monreal, Ignasi Mikel, Hektor Bejerin.
Çelsi: Fernando Torres, Huan Mata, Cesar Azpilikueta, Oriol Romeu.
Liverpul: Pepe Reina, Hose Enrike, Suso, Iago Aspas.
Mançester Siti: David Silva, Havi Garcia, Denis Suarez, Hesus Navas.
Mançester Junajtid: David De Gea.
Noruiç: Daniel Ajala, Havier Garrido.
QPR: Esteban Granero.
Sandërlend: Karlos Kuejar.
Suonsi: Çiko, Angel Rangel, Hose Kanas, Pablo Hernandez, Miçu.
Totenhem: Kristian Cebajos.
Uest Hem: Adrian.
Uigan: Ivan Ramis, Eduard Kampabadal, Pisku, Albert Krusat.
Sunday, 16 June 2013 09:15