U cilësua si Maradona i ri, ndërsa më pas mori epitetin superior si “Mesia” i futbollit. Asnjë ekzagjerim. Shifrat janë në favor të Lionel Mesit, që në 100 ndeshjet e fundit me Barcelonën numëron 103 gol
a, ku dhjetë të fundit i ka shënuar në vetëm shtatë javët e para të kampionatit spanjoll, me një mesatare të përgjithshme një gol në 82 minuta.
Numrat e “Pleshtit” argjentinas janë mbreslënës. Sezonin e shkuar realizoi 31 gola në kampionat, ndërsa në të gjithë sezonin me Barcelonën e ndali topin në rrjetat kundërshtare plot 53 herë. Por, ky sezon premton më shumë, duke parë që në vetëm shtatë ndeshje ka shënuar 10 gola dhe në asnjë rast nuk e ka bërë këtë nga pika e penalltisë.
Nëse llogariten sfidat në Ligën e Kampioneve, në Superkupën e Spanjë dhe atë të Europës, atëherë golat që mbajnë firmën e tij janë 16. Në ndeshjen e fundit kundër Santanderit, në Primera Division, Mesi shënoi një dygolësh që e ngjiti atë në kuotën e 129 të realizuar në kampionat, shifra të tjera këto që e afrojnë sulmuesin argjentinas drejt një rekordi absolut në futbollin spanjoll. Golashënuesi më i mirë i historisë së Primera Division është Telmo Zarraonaindia me 251 gola të realizuar me Atletikon e Bilbaos nga viti 1940 deri më 1955. Rekord mëse i arritshëm nga Lionel Mesi, që sapo ka mbushur 24 vjeç.
Mosha e re i lejon të luajë edhe për shumëm kohë të tjera, ndërsa në Spanjë askush nuk pyet nëse do të thyhet ndonjëherë rekordi, por vetëm se kur do të regjistrohet rekordi i ri. (Alsat)
Monday, 17 October 2011 21:34