Lionel Mesi beson se transferimi i Neimar te Barcelona do të ishte fantastik dhe se braziliani do të përbënte një përforcim të jashtëzakonshëm për skuadrën e tij në sezonet në vijim. Sipas argjentinasit, sulmuesi brazilian që pritet të bashkohet me katalanasit gjatë merkatos së verës, do të shtonte një dimension tjetër në forcën e sulmit te Barça.
“Nuk di të them me siguri nëse do të vijë te ne apo jo. Megjithatë, është e vërtetë se ai është një futbollisti i cili do të sillte një dimension të ri në skuadrën tonë. Padyshim që ai do të ishte një përforcim i jashtëzakonshëm”, ishte deklarata e Mesit rreth kësaj teme për “Qatar Alkass”, gjatë vizitës së tij në Katar.
Argjentinasi foli edhe rreth pritshmërisë që ka në karrierën e tij, duke zbuluar se ëndrra më e madhe që ka është të fitojë Kupën e Botës dhe jo të bëhet futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve.
“Unë thjesht dua që të fitoj Kupën e Botës. As nuk e mendoj nëse kjo do të më bëjë futbollistin më të mirë të të gjitha kohëve apo jo”.
Në fund, Mesi foli edhe për dy trajnerët që kanë ndikuar më shumë në karrierën e tij, holandezin Rajkard dhe spanjollin Guardiola.
“Rajkard ishte trajneri që besoi te unë kur isha vetëm 17 vjeç. Të punoja nën drejtimin e tij ishte një nga momentet më të rëndësishme të karrierës time. Ndërsa Pep më tha se isha lojtari më i mirë që ka drejtuar ndonjëherë. Jam i sigurt se do të shkëlqejë te Bajern. Ai do t’ia dalë mbanë kudo që të shkojë pasi mënyra se si kupton futbollin dhe lexon ndeshjet nuk mund të krahasohet me askënd tjetër”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 May 2013 09:44