Lionel Mesi nuk po mendon për “Topin e Artë”, ndonëse në kundërshtim nga rivali i tij Kristianio Ronaldo, është në një formë të shkëlqyer që në javët e para të sezonit të ri duke gjetur me vazhdimësi të pabesueshme rrugën e rrjetës. Argjentinasi ka shënuar dy gola për të përmbysur disavantazhin ndaj Spartak Moskës në Ligën e Kampioneve, por mendon se këto gola apo rekordet e mundshme kanë si qëllim vetëm rrugën drejt titujve me skuadrën, jo atyre individualë.
“Objektivi im nuk është të shënoj gola për të arritur rekorde, ecuria është drejt titujve dhe dinamikës për t’i arritur ato. Deri te “Topi i Artë” ka ende shumë kohë dhe ky trofe nuk më shqetëson. Ka gjëra të tjera shumë më të rëndësishme”, tha ai, duke iu kthyer pastaj ndeshjes së vështirë ndaj ekipit rus, të fituar 3-2 në minutat e fundit.
“Merita jonë është se fituam këtë ndeshje shumë të komplikuar. Nuk ishte e lehtë pasi nuk gjenim hapësira, sulmuesit kundërshtarë ishin shumë të shpejtë dhe shumë të fortë, duke luajtur shumë mirë në kundërsulm. Fatmirësisht mundëm të shënonim golin e tretë dhe arritëm të fitonim”.
“Dëmtimi i Pike? Kemi lojtarë të tjerë në skuadër, janë edhe të rinjtë e akademisë. Pike është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, është e vështirë që të gjenden futbollistë si ai e Pujol, por them se kemi lojtarë që i zëvendësojnë denjësisht”, përfundoi Mesi analizën e tij për ndeshjen. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 September 2012 16:01