Lionel Mesi ka qenë sot i pranishëm në inaugurimin e muzeut që ka krijuar në bashkëpunim me kompaninë “Adidas” në Barcelonë. Por ky rast është shfrytëzuar nga mediat botërore për të marrë opinione nga lojtari për situatën që po kalojnë katalanasit, e komplikuar në mënyrë të ndjeshme nga humbjet e fundit në të gjitha aktivitetet që marrin pjesë.
“I kemi ndjerë shumë humbjet e fundit, por do të ngrihemi përsëri. Unë për vete nuk jam i mërzitur, nuk e di se kush e ka thënë një gjë të tillë. Tani duhet që të japim pak më shumë. Të gjithë e dimë se cilët ishin problemet tona në këto humbje, por këto janë gjëra që mbeten brenda dhomave të zhveshjes”, shpjegoi argjentinasi.
“Mendoj se mund ta kthejmë ndeshjen me Milanin. Ashtu siç fituan ata në fushën e tyre, mund të fitojmë edhe ne në Barcelonë. Por jemi të ndërgjegjshëm që të gjithë duhet të japim më shumë. Po afrohet një ndeshje kyç për të ndryshuar sezonin tonë”, vijoi ai.
Normalisht, “meritë” e problemeve të Barcelonës ka edhe Real Madrid që i shkaktoi dy humbje të njëpasnjëshme në kampionat dhe Kupë, për më tepër duke dominuar ndaj katalanasve, me në krye Kristiano Ronaldon që ishte i pandalshëm dhe fitoi duelin personal ndaj futbollistit argjentinas.
“Kristiano dhe unë nuk luajmë për të parë se kush është më i miri mes nesh. Krahasimet i bën shtypi. Pashë Real Madrid një natë më parë. Ata treguan se sa skuadër e fortë janë. Por dihej se cilado prej dy skuadrave që do të kalonte do të bëhej kandidate kryesore për të fituar Ligën e Kampioneve”, deklaroi argjentinasi duke pranuar se madrilenët janë në një pozicion të favorshëm për të fituar këtë trofe. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 March 2013 19:00