Lionel Mesi ka hedhur poshtë të gjitha sugjerimet se shokët e tij të skuadrës te Barcelona mendojnë se ai ka shumë influencë dhe pushtet, si brenda fushës së lojës, ashtu edhe jashtë saj. Lojtari i cili shquhet për qetësinë e tij, ka patur debate gjatë ndeshjeve me shokët e skuadrës si David Vija, Isak Kuenka dhe Kristian Tejo, por ai insiston se nuk ka asnjë mosmarrëveshje brenda dhomave të zhveshjes.
“Unë një diktator i vogël? Nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit. Të gjithë shokët e mi të skuadrës e dinë që nuk jam i tillë”, janë fjalët e argjentinasit të publikuara në gazetën katalanase “Sport”.
“Është një privilegj i jashtëzakonshëm të jesh pjesë e Barcelonës më të mirë të të gjitha kohëve, jo thjesht për atë që kemi arritur, por edhe për mënyrën se si luajmë”.
Futbollisti ka thënë se nuk shqetësohet më as nga thirrjet e tifozëve rivalë, të cilët për ta nervozuar thërrasin në kor emrin e Kristiano Ronaldos.
“Nuk më shqetësojnë ato thirrje. Është normale që tifozët rivalë mundohen të të shpërqendrojnë. Real Madrid është një prej skuadrave më të mira në botë dhe ndeshjet ndaj tyre janë gjithmonë të këndshme për t’u luajtur. Kristiano Ronaldo? Ai është ndër më të mirët dhe Pepe është një mbrojtës i madh gjithashtu”, ishte deklarata e Mesit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 November 2012 14:56