Lionel Mesi duket se ka kuptuar se Barcelona e tij nuk po kalon një periudhë të qetë, siç e tregoi humbja me Milanin në mesjavë si dhe një fitore e vuajtur përballë Seviljes në kampionat. U deshën dy gola nga David Vija dhe nga vetë argjentinasi në pjesën e dytë që të evitohej një tjetër humbje në ndeshjen e kampionatit, ku katalanasit kanë pësuar gol për takimin e 11-të radhazi.
“E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, sidomos pas atij rezultati ndaj Milanit. Por fituam dhe për momentin ko është gjëja kryesore. Ndaj duhet të vazhdojmë të luajmë në stilin tonë edhe në kupë kundër Realit. Nuk duhet të mendojmë se na mjafton një barazim 0-0”, tha ai për takimin e Kupës së Mbretit ndaj rivalëve historikë që luhet në mesjavë.
“Do të bëjmë një gabim shumë të madh nëse shpresojmë dhe presim një rezultat. Madridi ka një ekip të mirë dhe në çdo moment mund të të shënojë gol. Ndaj do të hyjmë në fushë me mendimin për të fituar ndeshjen”, deklaroi Mesi, i cili ka preferuar të mos komentojë akuzat e bëra ndaj tij për fyerjet në adresë të Aitor Karanka pas përfundimit të sfidës së parë mes dy skuadrave.
“Duke e ditur se prej nga dalin këto supozime, nuk shqetësohem prej tyre”, ishte komenti i tij. (LajmeShqip.com)
Sunday, 24 February 2013 09:55