Lionel Mesit nuk i ka pëlqyer sezoni i kaluar, ku Barcelona fitoi vetëm Kupën e Spanjës dhe për këtë arsye ka premtuar se këtë vit do të bëjë maksimumin për të fituar përsëri çdo trofe të mundshëm, siç bënë disa vite me parë nën drejtimin e Pep Guardiolës.
“Nuk më pëlqeu që mbyllëm sezonin pa titull dhe pa Ligën e Kampioneve. Por këtë vit do të tentojmë të fitojmë përsëri gjithçka. Jemi gati për ta bërë një gjë të tillë”.
“Sigurisht që do të më kishte pëlqyer që të fitoja edhe titullin edhe Champions, ashtu si gjithmonë. E pranoj se na ka mbetur mendja që nuk mundëm të mposhtnim Çelsin dhe të shkonim në finalen e Ligës së Kampioneve. Sidomos mua, pasi humba atë 11 metërsh që mund të ndryshonte ndeshjen”, pranoi Mesi për mediat argjentinase.
Ai më pas ka vlerësuar edhe ndryshimet që janë bërë në pankinën e skuadrës katalanase, të cilat sipas tij mund të jenë pozitive në realizimin e objektivave të klubit.
“Kur erdhi Guardiola, kishim disa kohë pa fituar asgjë, më duket se dy sezone. Me mbërritjen e tij pësuam një ndryshim në gjithçka si mentaliteti e mënyra e punës. Po me Vilanovan? Janë personalitete të ndryshme, por filozofia vazhdon të jetë e njëjta, janë të njëjtët njerëz që punojnë me Tito. Secili ka mënyrën e tij për të parë gjërat, për t’ua transmetuar ato lojtarëve. Në këtë aspekt, Guardiola dhe Vilanova janë të ndryshëm”. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 September 2012 19:21