Lionel Mesi ka bërë të qartë se telashet e tij me shtetin spanjoll kanë përfunduar, pasi ai ka shlyer detyrimet ndaj zyrës së taksave. Argjentinasi ka mbyllur gjithçka, duke thënë se nuk ekzistonte asnjë lloj shkelje për të cilën të dënohej. “Nuk kemi bërë asnjë lloj shkelje, këshilltarët tanë do të sqarojnë gjithçka, pasi kemi paguar shumat që na kanë thënë ata”, deklaroi lojtari që akuzohet se ka bërë evazion fiskal për më shumë se 4 milion euro në vitet 2007-2009.
Lojtari më pas ka folur për jetën e tij, duke filluar që nga lagjja ku është rritur dhe ku shpreson të kthehet një ditë. “Nuk ka qenë e rrezikshme në ato kohë. Mos harroni se babi dhe nëna ime edhe tani jetojnë aty”. Ai vazhdon duke treguar për vëllain e tij që kishte qenë në talent në futboll, por pas një aksidenti theu këmbën dhe u desh të braktiste atë karrierë, apo për gjyshen e tij, të cilës i dedikon çdo gol sepse kishte qenë ajo që e kishte shtyrë të luante futboll.
Më pas ka zbuluar se mes futbollistëve kishte një marrëdhënie të mirë me Maradonën, ndërsa kishte zgjedhur të martohej me një vajzë që e njihte që në moshën 6 vjeçe dhe që nuk i interesonte aspak futbolli.
“Mërzitet kur i flas për futboll. Ka raste që kthehem në shtëpi dhe i them që kam shënuar 2 gola apo 3, por ajo as që e ka mendjen. Nuk i intereson, ndaj unë në shtëpi nuk shoh kurrë futboll në televizor. Djali? I ndërroj bebelinat, i bëj banjën dhe çdo shërbim tjetër. Kam qarë kur lindi pas shumë vështirësish”.
Në fund, lojtari argjentinas ka folur edhe për zërat e merkatos rreth ofertave të pabesueshme që mendohet se ka marrë në këto vite.
“120 milion euro në 4 vite nga Anzhi? Nuk kam dëgjuar kurrë asgjë të tillë. Barcelonës i ofruan 400 milionë për mua? Nuk i paskan pranuar!”, ishte komenti i tij rreth kësaj teme. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 June 2013 22:58