Lionel Mesi ka treguar edhe një herë që nuk i intereson të jetë futbollisti më i paguar në botë, për sa kohë që nuk kënaqet. Si rrjedhojë, ai ka refuzuar një ofertë të pabesueshme prej 30 milion eurosh në vit që i ka ardhur nga një klub i paidentifikuar rus.
Sipas “El Mundo Deportive”, ky klub e dëshironte aq me ngulm lojtarin, sa para rinovimit të tij me Barçën i kishte bërë të qartë se ishte gati ta paguante 30 milion euro në vit për tre vitet e ardhshme. Lojtarit i ishte bërë të qartë gjithashtu se mjaftonte miratimi i tij dhe ky klub ishte i gatshëm të paguante te Barcelona 250 milionë eurot që nevojiteshin për të aktivizuar klauzolën e largimit të kontratës së tij.
Por kjo ofertë ka marrë një “jo” të prerë nga argjentinasi, i cili nuk ka dashur të tradhtojë klubin katalanas. Për më tepër, gazeta spanjolle pretendon se ai nuk ka vënë në dijeni drejtuesit e klubit rreth kësaj oferte informale, duke mos dashur ta përfshijë atë në bisedimet për rinovimin e kontratës. Lojtari mendonte se një gjë e tillë do të shihej si shantazh për rritjen e rrogës dhe thjesht ka pranuar ofertën që i kanë bërë katalanasit, pa u treguar atyre se mund të përfitonte dyfishin e shumës për të cilën sapo kishte firmosur në kontratën e re. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 December 2012 14:37