Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Mesi, vazhdon të ketë një ëndërr në sirtar: të shpallet Kampion Bote me Argjentinën. Sulmuesi i Barcelonës ka fituar gjithçka në nivelin personal, ndonëse vetëm 24 vjeç, duke u shpallur lojtari më i mirë në botë gjatë tre viteve të fundit.
Por ai është i sigurt se një ditë do të arrijë të ngrejë edhe Kupën e Botës, nga të paktët trofe që i mungon në palmaresin e tij që është për t’u admiruar. “Dua që të ngre Kupën e Botës dhe të triumfoj në Kupën e Amerikës. Këto janë objektivat që i kam vënë vetes. Janë të vetmit trofe që më mungojnë dhe jam i sigurt që në të ardhmen do të arrij t’i fitoj”, u shpreh futbollist argjentinas.
Sipas tij, asnjë ekip nuk mund të krahasohet me Barcelonën, e cila ka ndjekur një projekt disavjeçar. “Kombëtarja jonë po rritet dhe mund të bëjmë më mirë. Mos më kërkoni që të bëj një krahasim mes Argjentinës e Barcelonës, e cila është skuadra më e mirë në botë dhe është rezultati i një pune disavjeçare me të njëjtët lojtarë. Cila është lëvdata që më ka gëzuar më shumë? Ajo e Di Stefanos, një legjendë”, tha “Pleshti”. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 December 2011 18:51