Lionel Mesi nuk ka fshehur dëshirën e pashtershme që ka për trofe dhe ka deklaruar se ka si objektiv në këtë sezon jo të thyejë rekorde personale, por të fitoj sa më shumë trofe, mundësisht të gjithë.
“Sukseset personale kalojnë në plan të dytë, objektivi im është të kthehem të fitoj gjithçka me këtë fanellë”, ka pranuar lojtari i cili më pas ka folur për shanset që ka për të fituar “Topin e Artë”, duke shpresuar që në mos ai, ta fitojë një tjetër prej futbollistëve të Barcelonës.
“Nuk është një çështje mes meje dhe Kristiano Ronaldos, janë shumë futbollistë që mund ta fitojnë këtë trofe këtë vit, edhe vetë Iker Kazijas. Por sinqerisht shpresoj që trofeu të mbetet në dhomat e zhveshjes së Barcelonës”, tha ai duke votuar indirekt për Ksavin e Iniestan.
Argjentinasi ka siguruar tifozët se dëshira e Barcelonës për suksese dhe trofe nuk ndryshonte, pavarësisht largimit të Guardiolës, ashtu siç nuk do të ndryshonte as loja e bukur e kësaj skuadre që ka mahnitur të gjithë dashamirësit e futbollit.
“Ajo që Tito po bën gjatë këtyre ditëve është e njëjta gjë që Guardiola ka bërë kur ishte në drejtimin tonë. Nuk ndryshon asgjë, nisemi me të njëjtin mentalitet të viteve të fundit, atij mentaliteti që na ka lejuar të ndërtojmë të gjithë sukseset tona”.
“Çfarë nuk do të harroj nga sezoni i kaluar?/ Penalltinë e humbur me Çelsin në gjysmëfinale. E mendoj çdo ditë dhe shpresoj që të fshij sa më shpejt atë kujtim të keq”, tha argjentinasi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 July 2012 16:47