Barcelona ka shkurtuar përsëri në 3 pikë diferencën me Realin e Madridit pas fitores 4-1 ndaj Real Saragozës, duke shpresuar që madrilenët të ndalen në takimin ndaj Valencias. Protagonist i ndeshjes ka qenë përsëri Lionel Mesi, i cili ka shënuar dy gola, duke çuar në 60 numrin e golave të shënuar për Barcelonën në këtë sezon.
Ndeshja ka qenë më e vështirë se sa pritej, pasi vendasit janë shfaqur shumë rrezikshëm para portës së Viktor Valdes dhe Aranda ka humbur edhe një 11 metërsh përballë portierit katalanas. Por sulmuesi i Saragozës e ka shlyer gabimin në minutën e 30-të kur ka arritur të shënojë golin e avantazhit për skuadrën e tij.
Gëzimi i vendase zgjat vetëm 6 minuta, aq sa i duhet Barcelonës për të gjetur barazimin ku këtë radhë është Pujol që gjen rrugën e rrjetës pas një goditje nga këndi duke përfituar nga gabimi i portieri kundërshtar. Në minutën e 39-të, Mesi shpalos repertorin e tij duke treguar si ndalet topi, si kontrollohet mes kundërshtarëve dhe si gjuhet me të majtën në mënyrë të pakapshme për portierin kundërshtar. 2-1 dhe katalanasit buzëqeshin përsëri.
Për të komplikua më shumë situatën e vendasve, të cilët po vazhdonin të luanin mirë, vjen edhe kartoni i kuq i Abraham në minutën e 44-t, pasi mbrojtësi koleksionon dy karton të verdhë radhazi. Barcelona luan më qetë në pjesën e dytë dhe nuk i lë vendasit të rrezikojnë shumë. Vulosja e rezultatit përfundimtar vjen në minutat e fundit, kur Mesi transformon një penallti të dyshimtë të fituar nga Sançez, ndërsa më pas jep një pasim të artë për Pedron që nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë për të sigluar suksesin 4-1. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Espanjol-Real Sociedad 2-2
45′ Ansotegui (ag), 47′ Vais / 12′, 15′ Vela
Getafe-Sporting Gijon 2-0
22′ Miku, 47′ Kastro
Rajo Vajekano-Osasuna 6-0
5′ Movija, 17′, 28′ Miku, 36′ Diego Kosta, 57′ Armenteros, 79′ Tito
Saragoza-Barcelona 1-4
30′ Aranda / 36′ Pujol, 39′, 86′ (p) Mesi, 90′ Pedro
Renditja
Real Madrid 78, Barcelona 75, Valencia 48, Malaga 47, Levante 45, Osasuna 43, Atletiko Madrid 42, Sevilja 42, Espanjol 42, Getafe 42, Rajo Vajekano 40, Atletik Bilbao 38, Real Sociedad 37, Majorka 36, Betis 35, Granada 34, Vijareal 32, Saragoza 28, Sporting Gijon 25, Racing Santander 25.
Saturday, 07 April 2012 22:22