Brazili ka fituar 2-1 miqësoren ndaj Bosnje Hercegovinës, të luajtur në Zvicër, por trajneri Mano Menezes është i pakënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij. Brazilianët fituan falë golit të Marselos dhe autogolit të Papac në minutat e fundit, ndërsa për ekipin ballkanas ishte Ibisheviç që gjeti rrjetën për barazimin e përkohshëm 1-1.
Megjithëse kjo ishte ndeshja e 8 radhazi e brazilianëve pa humbje, Menezes ka kërkuar një paraqitje më të mirë në të ardhmen, sidomos nga Ronaldinjo, i cili është një futbollist që bën diferencën.
“Mendoj se Ronaldinjo ishte poshtë nivelit të asaj që ai është zakonisht. Ai nuk na dha cilësinë e pasimeve që jep zakonisht”, u shpreh Menezes pas ndeshjes, duke lavdëruar më pas zëvendësuesin e Ronaldinjos, Ganson, pasi ky i fundit kishte arritur të krijonte më shumë rrezikshmëri në manovrën e skuadrës.
Një tjetër futbollist që u kritikua, ishte mbrojtësi i Çelsit, David Luiz, i cili ishte fajtor edhe në aksionin e pësimit të golit. “Ia thashë pas ndeshjes që gabimet janë pjesë e futbollit dhe nuk duhet të ndikohesh nga ata gjatë të gjithë takimit. Por si mbrojtës, nuk duhet të sorollatesh kot në atë pjesë të fushës dhe të lejosh lojtarin që të përparojë me top në këmbë”, ishte kritika e Menezes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 February 2012 10:02