Zhoze Murinjo është gati të largohet nga Real Madrid për të shkuar në Angli, mundësisht te Çelsi. Këtë fakt e ka pranuar edhe menaxheri i tij, portugezi Horge Mendes, i cili është aktualisht ndër më të njohurit në botë.
“Pas ndeshjes Real-Borusia, Murinjo foli dhe ishte mjaft e qartë se dëshiron të largohet, Çelsi është një nga destinacionet më të mundshme dhe ka 80% mundësi që të realizohet”, ishin fjalët e Mendes.
Ai ka folur edhe për dy lojtarë të madrilenëve që ai menaxhon, Ronaldo e Di Maria, por pa bërë të qartë për një destinacion të mundshëm të tyre.
“Kur lojtarët janë të fortë, është normale që klubet e mëdha janë të interesuara, ndaj PSZH është një mundësi për këdo. Di Maria? Në Itali e shoh të vështirë, duhen shumë para dhe skuadrat italiane nuk shpenzojnë si më parë”, deklaroi Mendes.
Ndërkohë, nga Anglia vijnë lajme rreth kërkesave të Murinjos për të marrë drejtimin e Çelsit. Sipas mediave britanike, një kërkesë e tij e qartë është rinovimi i kontratave të Frenk Lampard dhe Xhon Terri, dy lojtarë që ai i vlerëson praktikisht si asistentët e tij dhe jo vetëm për kontributin në fushën e lojës.
Megjithatë, kanë lindur dyshime për transferimin e dy lojtarëve të tjerë nga Spanja, Radamel Falkao dhe Ksabi Alonso, të cilët mendohej se do të kërkoheshin nga blutë por duket se situata ka ndryshuar plotësisht dhe Murinjo ka bërë të qartë se nuk ka nevojë për shërbimet e tyre, pasi i ka vënë syrin lojtarëve të tjerë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 04 May 2013 11:00