Menaxheri i Robert Levandovskit pretendon se largimi i tij nga Borusia Dortmund në fund të këtij sezoni është siguruar prej kohësh. Maik Barthel bëri të qartë se lojtari ka një akord me një skuadër tjetër, ndërsa transferimi i tij gjatë kësaj vere përmbush kushtet që kishte vënë Borusia Dortmund.
“Ne kemi arritur një marrëveshje me një klub tjetër dhe kemi si qëllim që ai të transferohet gjatë verës. Ekziston një ofertë shumë interesante për Robert, ofertë e cila përmbush të gjitha kërkesat e vendosura nga Dortmund dhe nga vetë lojtari. Dortmundi na ka siguruar se Robert mund të lëvizë në fund të sezonit nëse do të plotësoheshin këto kushte. Ne respektojmë marrëveshjet dhe tani është në dorën e dy klubeve të zgjidhin çështjen mes tyre”, deklaroi Barthel.
Levandovski ka shënuar 23 gola në 27 ndeshje në Budesligë në këtë sezon, por kuptohet që prova më e mirë e forcës së 25 vjeçarit ishin 4 golat e shënuar ndaj Real Madrid një natë më parë në Ligën e Kampioneve.
Një ditë më parë u publikua lajmi se sulmuesi kishte pranuar ofertën e transferimit drejt Bajern Mynih, por në garë për shërbimet e tij kanë hyrë edhe Mançester Junajtid e Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Thursday, 25 April 2013 18:33