Menaxheri i Frenk Lampard ka konfirmuar se lojtarit nuk do t’i ofrohet një kontratë e re nga Çelsi dhe se ai do të largohet nga londinezët në fund të këtij sezoni. Kontrata aktuale e mesfushorit përfundon në fund të këtij sezoni dhe lojtari do t’i japë lamtumirën londinezëve pas 12 viteve mëse të suksesshme te kjo skuadër.
“Drejtuesit e Çelsit i thanë Frenk në Japoni, gjatë Botërorit të Klubeve, duke ia rikonfirmuar edhe pas fitores me Evertonin, se nuk ekzistonte asnjë rrethanë e mundshme sipas të cilës atij do t’i ofrohej një kontratë e re pas përfundimit të asaj aktuales në fund të sezonit”, tha menaxheri Stiv Kutner për “The Daily Mirror”.
“Që nga ai moment, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë aspekt. Frenk është detyruar ta pranojë një fakt të tillë dhe thjesht po vazhdon të luajë futboll për Çelsin, në mënyrë që të mbyllë këtë sezon sa më mirë që të jetë e mundur me klubin që ai dashuron më shumë”, tha Kutner.
Mesfushori është aktivizuar më pak se zakonisht në këtë sezon, për shkak të dëmtimeve apo zgjedhjeve teknike. Por ai vazhdon të jetë një nga lojtarët më në formë në shënimin e golave, pasi me rrjetën e realizuar të shtunën në Kupën FA ndaj Sauthempton, çoi në 7 numrin e golave në 17 ndeshje të luajtura, duke qenë i treti në listën e golashënuesve të skuadrës, pas spanjollëve Torres e Mata. (LajmeShqip.com)
Monday, 07 January 2013 09:07