Jup Heinkes është gati të marrë drejtim ne Real Madrid nëse Florentino Perez ia ofron një mundësi të tillë. Konfirmimi ka ardhur nga menaxheri i trajnerit gjerman, Enrike Rejes, i cili bëri të qartë se ai tani është vetëm në pritje të një telefonate nga Florentino Perez.
Heinkes largohet javën e ardhshme nga Bajern Mynih pasi ka fituar kampionatin gjerman dhe Ligën e Kampioneve, ndërsa me datë 1 qershor do të luajë edhe në finalen e Kupës së Gjermanisë. Ai flet shumë mirë spanjisht pasi ka një të kaluar të suksesshme në Spanjë, pasi ka drejtuar pikërisht Realin drejt fitores së Ligës së Kampioneve në vitin 1998 si dhe ka drejtuar gjithashtu skuadrat e Atletik Bilbao dhe Tenerife.
“Ky është vendimi që duhet të marrë Florentino Perez. Nëse ai na telefonon, ne do ta pranonim një ofertë të tillë. Ai që duhet të pranojë ofertën nuk është Heinkes por Florentino. Për momentin, Heinkes i ka dhënë lamtumirën vetëm Bundesligës”, tha Rejes për mediat spanjolle.
Real Madrid për momentin është pa një trajner për sezonin e ardhshëm, pas largimit të Zhoze Murinjos nga drejtimi i skuadërs me destinacion Anglinë, pasi portugezi do të kthehet te Çelsi. Madrilenët kanë kontaktuar me Karlo Ançelotin por ky i fundit ka një kontratë me PSZH dhe parisienët refuzojnë ta lënë të lirë të largohet. (LajmeShqip.com)
Monday, 27 May 2013 11:01