Menaxheri i Garet Bejl është i bindur se futbollisti uellsian do të përshtatej mjaft mirë me Paris Sent Zhërmen dhe ky klub ka nevojë për një lojtar të tillë.
22 vjeçari ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha evropiane, por çmimi prej 60 milion eurosh që ka caktuar Totenhem është shumë i lartë dhe vetëm një klub me fonde të pakufizuara si PSZH mund të realizojë transferimin e tij.
Skuadra që drejtohet nga Karlo Ançeloti dëshiron të përforcohet më shumë në merkaton e verës dhe përfaqësuesi i Bejl mendon se lojtari do të ishte zgjidhja e duhur për një hov cilësor në lojën në krahë.
“Bejl është lloji i lojtarit për të cilin ka nevojë PSZH. Por për momentin ai është i lumtur te Totenhem”, ishte deklarata që bëri Xhonatan Barnet për faqen e internetit franceze “Telefoot”, duke mos hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e transferimit. Ky menaxher është njëkohësisht edhe përfaqësuesi i futbollistit të Çelsit, Eshli Kol, për të cilin thuhej se ishte interesuar Ançeloti.
“I kam dëgjuar zëra të tillë por edhe për Eshlin mund të them se është i lumtur te Çelsi”, ishin fjalët e tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 April 2012 12:10