Presidenti i Federatës Meksikane të Futbollit, Hustino Kompean, ka bërë të ditur se do të kërkojë organizmin e Botërorit 2026 në Meksikë. Ky vend ka organizuar turneun madhor të futbollit botor edhe dy herë të tjera më parë, në vitet 1970 dhe 1986, ndërsa në rast të pranimit me sukses të kërkesës, do të bëhet vendi i parë që bëhet tre herë organizator i aktivitetit.
“Meksika ishte një vend organizator i shkëlqyer në vitin 1970 dhe 1986. Ne duam të organizojmë përsëri një Botëror por e dimë që ka një konkurrencë të fortë me SHBA për këtë vit. Meqë infrastruktura e futbollit meksikan është në përmirësim të vazhdueshëm, jam i bindur se kjo gjë mund të bëhet realitet”, tha ai.
“FIFA është bërë më kërkuese me strukturat që nevojiten. Duhet ta dini që SHBA, konkurrenti më i fortë për vitin 2026, ka burime të jashtëzakonshme, stadiume të mëdha dhe trefishin e popullsisë, gjëra të cilat në fund mund të kenë peshë”, paralajmëroi ai, duke theksuar se për ekipin kombëtar të Meksikës, do të ishte njëlloj edhe nëse aktiviteti organizohej në SHBA.
“Nëse SHBA siguron organizimin e Kupës së Botës në vitin 2026, ne do të ishim përsëri të fituar, pasi në aspektin sportiv fillimisht nuk do të përballemi me njëri-tjetrin në kualifikuese. Pastaj, të mos harrojmë se jemi 3 orë larg kufirit me SHBA dhe ka miliona meksikanë që jetojnë atje. Për ne do të ishte sikur të luanim në shtëpi”, tha Kompean. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 September 2012 11:54