Floid Meiuedher nuk përjashton mundësinë për t’u përballur me Mani Pakuiao në ndeshjen e parë të historisë së boksit që pritet të kalojë 100 milion dollarë fitime për boksierët. Por amerikani insiston se filipinasi më parë duhet të bëjë të paktën një ndeshje përgatitore para se të vihet kundër tij.
Pakuiao mbeti pa ndjenja në ndeshjen e fundjavës së kaluar në Las Vegas kundër meksikanit Huan Manuel Markez, një disfatë që pritej t’i jepte fund shanseve të tij për t’u përballur me Meiuedher. Por kampioni i botës për peshat 66 kilogram, është gati të ndeshet me rivalin e tij, nëse arrihet të gjendet akordi financiar për këtë supersfidë që pritet prej shumë vitesh.
“Pakuiao duhet të mundohet të bëjë pushime, të qetësohet dhe të bëjë disa ndeshje përgatitore në mënyrë që të kthehet përsëri në formë. Mua më vjen keq për të. Ka ndryshim shumë të madh në mënyrat sesi mund të të rrezojnë në tokë me KO. Kur dikush rrëzohet dhe mund të ngrihet përsëri, e ulin në stol, i fërkojnë shpinën dhe ai mund të shkojë në shtëpi për të venë akull në fytyrë”.
“Por kur detyrohesh të zgjosh një person me anë të kripës dhe ai ka pësuar tronditje dhe duhet të qëndrojë në spital gjatë natës për teste, kjo do të thotë t’i afrohesh vdekjes”.
“Kur i ofrova Pakuiaos 40 milion dollarë por ndeshjen, i thashë se do t’i dërgoja menjëherë 20 milion dollarë në llogarinë e tij dhe pjesën tjetër e merrte pas ndeshjes. Ai më tha se dëshironte të ndante përgjysmë fitimet me mua dhe më mbylli telefonin”, shpjegoi kampioni amerikan arsyen pse një ndeshje e tillë nuk ishte zhvilluar deri tani. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 December 2012 19:25